Familjarët e miqtë nganjëherë më pyesin a mundem me ia dhanë një punë një të riu të tyne. E kuptoj kërkesën. Kur e don dikë, ke dëshirë me ia hapë një derë. Po një titull pune nuk më tregon çka don me mësu ai person ose a mundem me e ndihmu si duhet.
Prandaj nis me bisedë. Çka ke provu deri tash? Çka të ban kureshtar? Çka don me u ba? Çka mundesh me ushtru dy javë e me ma tregu? I baj këto pyetje sepse kisha dashtë që dikush të m’i bante edhe mue ma shpesh kur isha në fillim.
Në versionin e parë të kësaj historie, të riun e quajta “Xhepa”. Ishte mënyrë me tregu një histori mentorimi, jo me përshkru secilin të ri në Kosovë a në Ballkan. Disa njerëz që i kam taku ishin gati me punu, po u mungonte qasja, udhëzimi a besimi në vete. Të tjerët ende nuk e dinin a ishte kjo rruga e tyne. Nuk mundem me e ditë arsyen prej një takimi të shkurtë.
Nëse dikush më thotë që don me mësu dizajn a programim, i propozoj një hap të vogël: zgjidhe një kurs për fillestarë, cakto një orar realist dhe ma dërgo një punë pas dy javësh. Nëse anglishtja asht pengesë, kërkojmë një mënyrë me e mësu gjuhën ose një kurs tjetër. Qëllimi nuk asht me hapë sa ma shumë llogari në aplikacione. Qëllimi asht me pa a i përshtatet plani atij personi dhe a mundem me i dhanë ndihmë të vlefshme.
Nganjëherë kthehen me punë. Nganjëherë jo. Mundohem me mos e kthy asnjërën në gjykim për karakterin e tyne. Dikujt mund t’i duhen të hollat menjëherë, një mentor tjetër ose një synim që e ka zgjedhë vetë e jo familja.
Një person me të cilin pata mundësi me punu gjatë ishte Vigan Myrtaj. Në vitet për të cilat kam shkru, ai u rrit prej praktikës në role dizajni në kompanitë e mia. Rruga e tij më kujton që mundësia e përpjekja duhet me u taku. Nuk dëshmon që kushdo tjetër që nuk e ndoqi planin tem nuk kishte ambicie.
Për mue, kjo asht Be the One në vepër: me e mbajtë fjalën kur ofroj ndihmë, me qenë i sinqertë për atë që mundem me dhanë dhe me ia lanë tjetrit lirinë me e zgjedhë drejtimin e vet. Nëse e mentoron dikë, cili asht një hap i vogël që mundeni me e caktu bashkë?



